Luan Pirdeni, babai i ministres Adea Pirdeni dhe profesor i hershëm i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të enjte. Ai është përplasur nga një motomjet teksa ecte me biçikletë te “Rruga Bardhyl”.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, por vetëm tani bëhet me dije. Si pasojë e përplasjes së fortë, profesor Luan Pirdeni ka marrë dëmtime në trup dhe është dërguar me urgjencë në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Mirëpo, pavarësisht kujdesit, ai ka mbyllur sytë në moshën 87 vjeçare. Shërbimet e Policisë së Tiranës kanë arrestuar për ngjarjen, drejtuesin e motomjetit, shtetasin S. M., 31 vjeç.
“Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, thuhet në komunikatën zyrtare të shpërndarë nga Drejtoria Vnedore e Policisë Tiranë.












