Gurët në veshka janë një ndër problemet më të përhapura shëndetësore, të cilat shpesh shfaqen papritur dhe shoqërohen me dhimbje të forta.
Sipas specialistëve, mënyra e jetesës, ushqyerja dhe hidratimi luajnë një rol kyç në formimin dhe parandalimin e tyre.
Specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja shpjegon në “Rreze Dielli” në Report Tv, mekanizmat e krijimit të gurëve, faktorët që i nxisin, si dhe disa metoda natyrale që ndihmojnë në lehtësimin dhe trajtimin e tyre.
“Gurët në veshka janë depozitime kristalesh oksalatesh në brendësi të mureve të veshkave.
Fillimisht ato formohen si kristale të vogla që ngjiten në muret e veshkave dhe më pas bashkohen duke krijuar gurë.
Ky proces ndodh kryesisht në segmentet ku tubulat bashkohen me tubulin përmbledhës kortikal, ku bashkohet jo vetëm urina, por edhe këto kristale”, thekson Merja.
Sipas tij, substancat kryesore që formojnë gurët janë acidi urik, kalciumi, oksalatet dhe struvitet. Në varësi të përbërjes, gurët mund të jenë të butë, mesatarë ose shumë të fortë. Gurët më të fortë, me strukturë qelqore, krijohen kur organizmi prodhon në tepricë aminoacidin cistinë, ndërsa infeksionet bakteriale në veshka mund të çojnë në formimin e gurëve që rriten dhe zmadhohen me shpejtësi.
Shkaqet kryesore të formimit të gurëve në veshka
Formimi i gurëve lidhet me disa faktorë të rëndësishëm:
Dehidratimi dhe moskonsumimi i mjaftueshëm i ujit
Dieta e pasur me kripë dhe mish, që rrit acidin urik
Ushqimet e pasura me oksalate si spinaqi, çokollata dhe arrat
Çrregullimet metabolike (nivel i lartë i kalciumit, oksalateve apo acidit urik)
Infeksionet urinare që ndryshojnë pH-në e urinës
Konsumi i tepërt i kripës, që ndikon në largimin e kalciumit nga kockat
Faktorët gjenetikë dhe predispozita familjare
Jeta sedentare dhe mungesa e aktivitetit fizik sjell qarkullim të ngadaltë të gjakut në veshka, kristalet bashkohen më lehtë
Sëmundje si diabeti, problemet me tiroiden, obeziteti apo sëmundjet e zorrëve
Përdorimi i disa medikamenteve apo suplementeve në mënyrë të tepruar
Simptomat që nuk duhen neglizhuar
“Simptomat kryesore të gurëve në veshka janë dhimbje të forta në shpinë, bark dhe anët e trupit, vështirësi dhe djegie gjatë urinimit, urinë e errët ose me gjak, shpesh me aromë të fortë. Këto mund të shoqërohen edhe me të përziera, të vjella dhe lodhje të përgjithshme”, nënvizon Merja.
Fuqia e bimëve në trajtimin natyral
Sipas Ylli Merjas, trajtimet natyrale mund të jenë shumë efektive, veçanërisht kur problemi kapet në fazat e hershme. Disa nga bimët më të rekomanduara për ndihmë në shkrirjen e gurëve janë:
Ujë me limon (1 gotë çdo dy ditë), i pasur me citrate që ndihmojnë në thërrmimin e gurëve
Majdanozi i egër, lëndet aktive që ndodhen në kërcell dhe gjethe përmbajnë acid triterpenik dhe acide të tjera organike
Rrënja e gramit ndihmon në shkrirjen e gurëve, pasi përmban triticinë dhe saponine që bëjnë që gurëzat e shkrira të lëvizin lehtë
Këputja përmban acid salicilik, bioflavonoide dhe saponine
Mustaqet e misrit përmbajnë gliceride të acideve linoleike, oleike, etj
Fieri i gurit përmban acid malik, citrik dhe galik. Eshtë një bimë që rritet mes plasaritje të gurëve plot me acide organike dhe ndihmon në shkrirjen e gurëve në veshka
Bishtat e qershive përmbajnë gjithashtu acide organike
Si të trajtohen në përditshmëri
Për të lehtësuar simptomat dhe për të ndihmuar në eliminimin e gurëve, rekomandohet:
Konsumimi i 1-2 gotave ujë me limon 1 herë në 2 ditë
Pirja e çajrave bimorë si Uromer (5-6 gota në ditë) ose përzierje bimore si rrënjë grami, majdanoz i egër, këputje, mustaqe misri, fier guri dhe bishta qershie.
Në rast dhimbjesh të forta, qëndrimi në vaskë me ujë të ngrohtë për të lehtësuar dhimbjen dhe për të ndihmuar në lëvizjen dhe rrëshqitjen e gurëve.
Shënim i redaksisë: Kurat natyrale janë ndihmëse dhe nuk zëvendësojnë trajtimin mjekësor në rastet kur simptomat përkeqësohen. Konsultohuni gjithmonë me mjekun, sidomos personat me sëmundje kronike.












