Me lot në sy dhe zemër të thyer, familja Muçaj ka dhënë së fundmi një intervistë për Top Channel, ku ka rrëfyer dhimbjen e madhe, pengjet dhe ëndrrat e vogëlushit të tyre, Enea.
Babai i Eneas, Ermal Muçaj, mes lotësh tregoi se e ndien praninë e të birit në çdo cep të shtëpisë.
“Ikja, lëvizja, tani më preu krahët. Këto ditë i kaloj se kur dal në çdo cep më duket sikur më thërret: ‘o babi, po pse s’më merr?’. Do vij o babi, i them, do vij. Kështu që s’kam komente. Çfarë të them më? Flas, kudo në çdo cep e shoh, më del. ‘Pse s’më merr babi?!’, më thotë. Do vij, i them. Vetëm më thërret”, u shpreh babai Ermal Muçaj.
Ai rrëfeu se Enea kishte shumë ëndrra dhe ishte plot entuziazëm për jetën. Këtë të premte priste me padurim të shkonte me klasën në Vlorë, por jeta iu ndërpre tragjikisht në mes.
Përveç pasionit për futbollin, Enea ëndërronte të bëhej mekanik dhe të punonte krah të atit, për të ndihmuar familjen.
“E shihja e buzëqeshte e i thosha ‘He merr bab do ti ngjash babit?’. ‘Po’ më thoshte. ‘Do bëj profesionalen, do vij me ty të ndihmoj’ thoshte. Mekanik… Ishte shumë i pasionuar…”, u shpreh i ati.
Ndërkohë, Ermal Muçaj denoncon neglizhencën e institucioneve, duke theksuar se paralajmërimet e vazhdueshme për autorin e dyshuar nuk u morën parasysh.
“Nuk ia kam pasur borxh njeriut edhe nuk e di. Nuk e di se si… do ishte parandaluar me 100 firma. Kishim muaj, muaj e muaj që merrnim tabulatet, telefonatat nga gjithë banorët e lagjes. Edhe policia vinte, qeshte… një gjë qesharake”, tha ai.
Sipas tij, Nikoll Radaçi ishte një person problematik i përditshëm në zonë, i cili rrinte gjatë gjithë kohës i dehur.
“Ishte i përditshëm, i përditshëm. Tapë. Ecte në mënyrë të pakontrollueshme, por policët e korruptuar e lanë, pinin kafe dhe kthenin fletën. Institucioneve do t’u thoshim: në rrugë s’po na i lini të kalojnë kalamajtë, në trotuar po na i shtypni. Tashti parqe s’keni bërë. Ku mund t’i lëmë fëmijët? Vetëm këtë të na thonë, se ku mund t’i lëmë?…”, u shpreh i ati.
Në mes mes dhimbjes së madhe edhe gjyshja e vogëlushit është shprehur se e ka rritur nipin me shumë sakrifica. Gjithashtu ajo ka theksuar se përpiqet të gjejë forcë mes humbjes së madhe, ndërsa pret lajme për nipin tjetër që mbeti i plagosur.
“Gjyshe jam po mezi e kam rritur. Edhe më iku çuni, 13 vjeç tani… çfarë të them, siç më sheh. Mezi qëndroj në këmbë. Vetëm e keqja se duhet durim. Durim djali, do durim nusja. Ne jemi gjyshër, po këta janë prindër. Edhe kështu që… do bëj durim, po është dhimbje shumë e fortë”, tha gjyshja.












