Dhuna barbare e ushtruar ndaj një 17-vjeçareje në Fier nga disa adoleshente të tjera ka shkakruar shumë reagime dhe zemërim në opinionin publik, pas publikimit të videos me përmbajtje tepër shqetësuese.
Ndërkohë në lidhje me ngjarjen është bërë një reagim nga familja e njërës prej 15-vjeçareve të përfshira. Familjarët e saj me lot në sy i kanë kërkuar falje publike 17-vjeçares të dhunuar dhe familjes së saj duke shprehur keqardhje për atë çka ka ndodhur.
Prindërit e adoleshentes kanë dëshmuar se janë informuar për ngjarjen përmes mediave, dhe më tej janë shoqëruar në polici, ku edhe kanë dhënë deklarimet e tyre para autoriteteve.
Ata kanë treguar se vajza e tyre, rreth tre mua më parë u diagnostikua me probleme të shëndetit mendor dhe duke filluar që nga ajo kohë ata kanë kërkuar ndihmë prej institucioneve për trajtimin e saj. Duke shtuar më tej se e bija kishte shfaqur edhe më parë episode agresiviteti, ndërsa sipas tyre kërkesat e tyre për mbështetje nuk kanë marrë përgjigjen e nevojshme.
Në përfundim nëna e 15-vjeçares, u ka bërë thirrje institucioneve për të ndërhyrë dhe të ndihmojnë në kurimin e vajzës për të marrë kurimin e nevojshmë mjekësor dhe psikologjik, pasi nuk kanë mundësi ekonomike. Duke theksuar se nuk kanë për qëllim justifikimin e veprimeve të së bijës.
“Më mori policia, nuk di gjë. Ju kërkoj ndjesë prindërve të asaj goce. Sikur të më kishte ndodhur mua, do t’i kërkoja 100 herë ndjesë. Jam shumë e prekur, sikur t’ia kishin bërë fëmijës tim. Jam shumë e prekur.
Po vajzën e kemi çuar për ta vizituar dhe është me probleme. Psikologia e shkollës e ka marrë, por s’ka bërë asgjë. Unë kërkoj shërim të plotë të gocës, sepse e kemi me probleme të shëndetit mendor dhe nuk kam fare gjendje ekonomike.
Nuk e përballoj dot mjekimin. I kërkoj ndjesë familjes së vajzës dhe asaj vajzës”, u shpreh e ëma e 15-vjeçares.












