Është ndarë nga jeta prof. Agim Kolasi, një figurë e njohur e mjekësisë si dhe një nga themeluesit e neurokirurgjisë shqiptare. Lajmin e njoftoi Shërbimi i Neurokirurgjisë i Spitalit Universitar të Traumës.
Prof. Ass. Fatos Olldashi, shefi i Shërbimit të Neurokirurgjisë në SUT përmes një mesazhi ngushëllimi vlerësoi figurën dhe trashëgiminë e profesorit, duke theksuar se jeta dhe vepra e tij do të mbeten një frymëzim i përhershëm për komunitetin mjekësor.
I lindur në Kolonjë, të cilën gjithmonë e mbajti në mendje dhe në zemër, u shkollua ne fakultetin e mjekësisë ne Tirane dhe ne vitet 1970 kreu specializim për neurokirurgji në Kinë. Menjëherë mbas kthimit në Shqipëri filloi të aplikonte me njohuritë e fituara në Spitalin Ushtarak.
Në vitin 1972, hapi repartin e Neurokirurgjisë në spitalin ushtarak, ku u realizuan për herë të parë në Shqipëri shumë operacione dhe metoda diagnostike. Dr. Agimi ka realizuar me mijëra operacione, po ashtu ai është autor i shumë studimeve që u bënë më pas udhërrëfyes për mjekët e rinj.
“Jeta e tij ishte dëshmi se koha e njeriut nuk matet me vitet që jeton, por me gjurmët që lë në mendjet dhe zemrat e të tjerëve. Dhe ai la pas një trashëgimi që nuk do të shuhet: breza studentësh që do të mbajnë gjallë frymën e tij, kolegë që do të kujtojnë urtësinë e tij, dhe pacientë që do të ruajnë mirënjohjen për përkujdesjen e tij njerëzore. Ai jetoi dhe punoi sipas parimit të lashtë “Ars longa, vita brevis” – arti është i gjatë, jeta e shkurtër – duke e ditur se dija që ai ndërtonte do të jetonte përtej kufijve të kohës së tij”, vlerësoi Olldashi.Për të, shtoi mjeku, profesioni nuk ishte thjesht detyrë, por mision: “Salus aegroti suprema lex esto” – shëndeti i pacientit le të jetë ligji më i lartë. Në çdo vendim, në çdo këshillë, ai e vendosi njeriun në qendër, duke dëshmuar se mjekësia pa humanizëm humbet kuptimin e saj.












