Fatos Bakiasi, një nga mantelbardhët e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ka ndërruar jetë në moshën 62 vjeçare.
Ikja e tij e papritur ka lënë zemërthyer familjarët, miqtë dhe kolegët me të cilët ai ndante pjesën më të madhe të ditës.
Ai ka mbyllur sytë përgjithmonë , më 13 Shtator, ndërsa një ditë më parë kishte qenë si zakonisht në punë, mes kolegëve, duke u shërbyer qytetarëve që kishin shkuar për ndihmë mjekësore te Trauma.
“Sot zemrat tona u rënduan nga një humbje e papritur. Në moshën vetëm 62 vjeç, u shua një jetë që kishte ende shumë për të dhënë. Një njeri i dashur, një koleg shembullor, një profesionist që e nderoi bluzën e bardhë dhe spitalin e Traumës.
Dje ishe në punë mes kolegëve të tu, sot mungesa jote la një boshllëk të madh. Do të kujtohesh për gjithçka që ndërtove me përkushtim, me dashuri për jetën dhe respekt për të tjerët”, shkruan Flora Mezini Boja, teksa i jep lamtumirën e fundit Fatos Bakiasit.
“U prehsh në paqe, miku ynë i mirë”, vijon ajo.