Një lajm i trishtë ka ardhur këtë të hënë vere! Pedagogu i violinës dhe një ndër artistët e rrallë të vendit tonë, Robert Papavrami ka mbyllur sytë përgjithmonë ditën e sotme, 4 korrik.
Lajmin e hidhur e ka bërë me dije përmes një postimi Akademia e Shkencave, ku dhe u ka shprehur ngushëllime për këtë humbje familjarëve të Papavramit si dhe të gjithë kolegëve e miqve të tij.
“Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave i shpreh ngushëllimet më të thella violinistit me famë botërore Tedi Papavrami, për ndarjen nga jeta të Robert Papavramit, babait dhe mësuesit të Tij. Shkolla shqiptare e violinës sot është më e varfër me këtë humbje, por ngushëllohemi që trashëgimia artistike që Ai la pas vijon në lartësi të reja, kjo falë arritjeve Tuaja, i dashur Tedi. Të rroni e ta kujtoni!”, thekson Akademia e Shkencave.
Robert Papavrami ka shënuar me gërma të arta emrin e tij në artin shqiptar. Ai u rrit në një familje tradicionale, ku gjëja me e rëndësishme ishte detyra dhe respekti.
Roberti i ri u shqua si violinist me shpirt, teksa u bë pedagog i violinës dhe për dekada nxori shumë violinistë, talent të cilin e trashëgoi dhe te biri i tij, Tedi Papavrami.
Edhe pas vendosjes në Francë ku hapi një shkollë, ai vazhdoi me pasionin e tij për zbulimin e talenteve dhe formimin e violinistëve të rinj.