Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë, ku një 38-vjeçar humbi jetën pasi u hodh në lumin Tagliamento për të shpëtuar djalin e tij të vogël që ishte marrë nga rrjedha e ujit.
Ngjarja ndodhi pranë Ronchis di Latisana, në provincën e Udines, nën viaduktin e autostradës A4. Alarmi u dha nga kalimtarë të rastit, të cilët njoftuan shërbimet e emergjencës pasi panë persona në vështirësi në lumë.
Sipas autoriteteve italiane, viktima ishte një 38-vjeçar me profesion murator, me origjinë nga Baku i Azerbajxhanit, i cili jetonte në Pontebba, në provincën e Udines.
Mësohet se burri u hodh në ujë pasi djali i tij 5 vjeç e gjysmë u mor nga rryma e lumit. Në momentin e ngjarjes, me familjen ndodheshin edhe dy vajzat e tij, 9 dhe 11 vjeçe.
Babai arriti ta nxirrte djalin në breg, ndërsa dy vajzat dhe nëna e tyre u ndihmuan nga persona të tjerë që ndodheshin pranë zonës. Por menjëherë pas shpëtimit të të birit, 38-vjeçari u zhduk në ujërat e lumit.
Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit, një helikopter dhe ekipet e zhytësve, të cilët nisën kërkimet intensive. Pas disa orësh, trupi i pajetë i burrit u gjet në bregun tjetër të lumit Tagliamento.
Ndërkohë, djali 5-vjeçar, i cili kishte pësuar probleme të rënda nga mbytja, u transportua me helikopter në spitalin e Udines. Sipas mjekëve, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të madhe, ndërsa autoritetet vijojnë verifikimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e tragjedisë.












