Nicholas Brendon, aktori i cili u bë i njohur për rolin e tij si Xander Harris në të gjitha shtatë sezonet e serialit televiziv të famshëm Buffy The Vampire Slayer , ka ndërruar jetë në moshën 54 vjeç.
Familja e tij e konfirmoi lajmin në një deklaratë të ndarë me The Hollyëood Reporter, duke thënë se ai “vdiq në gjumë nga shkaqe natyrore”.
Sipas familjarëve të Harris, aktori prej kohësh kishte probleme shëndetësore dhe ishte duke marrë trajtim.
“Me zemër të thyer ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të vëllait dhe djalit tonë, Nicholas Brendon. Ai ndërroi jetë në gjumë nga shkaqe natyrore. Shumica e njerëzve e njohin Nicky-n për punën e tij si aktor dhe për personazhet që ai solli në jetë gjatë viteve.

Vitet e fundit, Nicky ka gjetur pasionin e tij në pikturë dhe art. Nicky-t i pëlqente ta ndante talentin e tij entuziast me familjen, miqtë dhe fansat e tij. Ai ishte i apasionuar, i ndjeshëm dhe pafundësisht i motivuar për të krijuar. Ata që e njihnin vërtet e kuptuan se arti i tij ishte një nga pasqyrimet më të pastra të asaj që ai ishte.
Ndërsa nuk është sekret që Nicholas kishte vështirësi në të kaluarën, ai ishte duke marrë ilaçe dhe trajtim për të menaxhuar diagnozën e tij dhe ishte optimist për të ardhmen në kohën e ndarjes së tij nga jeta. Familja jonë kërkon privatësi gjatë kësaj kohe ndërsa vajtojmë humbjen e një njeriu që jetoi me intensitet, imagjinatë dhe zemër. Faleminderit të gjithëve që kanë treguar dashuri dhe mbështetje.”, thuhet në deklaratë.
Në vitet e fundit, Brendon u përball me sfida shëndetësore, duke përfshirë një defekt të lindur të zemrës, një atak në zemër në vitin 2023 dhe sindromën cauda equina, e cila kërkoi operacione të shumta në shtyllën kurrizore. Ai gjithashtu u përball publikisht me abuzimin me substanca dhe problemet e shëndetit mendor, por thuhet se kishte treguar optimizëm në vitet e tij të mëvonshme.












