Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Buzmadh.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Volkswagen Touran, në të cilin udhëtonin tre persona, drejtuesi i mjetit, një grua dhe një i mitur, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Si pasojë e aksidentit, të tre kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier.
Burime nga spitali bëjnë me dije se gruaja dhe i mituri ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa drejtuesi i automjetit vijon të jetë në sallën e operacionit, në gjendje të rëndë shëndetësore, nën kujdesin e mjekeve
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Ndërkohë, po punohet edhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.












