Influencuesja braziliane Kauana Bilhar, 27 vjeçe, ka humbur jetën pasi ra nga kati i 27-të i një ndërtese shumëkatëshe në Dubai. E njohur për përmbajtjet e saj mbi modën dhe udhëtimet, ajo kishte krijuar një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale.
Autoritetet në Dubai kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme, përfshirë mundësinë e një aksidenti, vetëvrasjes apo një vepre penale. Deri tani, shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë publik.
Lajmi u konfirmua më 7 korrik nga nëna e saj, Darla Bilhar, e cila publikoi një mesazh prekës ku kërkoi respekt për kujtimin e së bijës dhe u bëri thirrje njerëzve të ndalojnë komentet dhe spekulimet në rrjetet sociale.
Për të ndjekur nga afër hetimet dhe për të organizuar kthimin e trupit në Brazil, Darla udhëtoi drejt Dubait. Ndërkohë, pak ditë para ngjarjes, Kauana kishte ndarë me ndjekësit lajmin e fejesës me partneren e saj, Barbara Abrantes, ndërsa fotografia e publikuar më 25 qershor besohet të ketë qenë postimi i fundit i saj në rrjetet sociale.













