Gjykatësi amerikan Frank Caprio është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit.
Caprio u bë i njohur përmes programit televiziv Caught in Providence, ku vendimet e tij gjyqësore të shoqëruara me tone njerëzore dhe të buta fituan vëmendjen e publikut në mbarë botën.
Një prej momenteve më të komentuara ishte ai kur fali një 96-vjeçar që shkelte rregullat e qarkullimit sepse po kujdesej për djalin e sëmurë.
Ditët e fundit, nga shtrati i spitalit, ai publikoi një video ku kërkoi lutje dhe u shpreh mirënjohës për mbështetjen e marrë. “Ju lutem, mbajeni emrin tim në lutjet tuaja. Besoj fuqishëm tek fuqia e lutjes. Ndjej dashurinë tuaj dhe ju falënderoj nga zemra,” tha Caprio.
Përveç karrierës në gjyqësor, ai u angazhua edhe në projekte bamirësie, bursa studimi dhe mbështetje për organizata të ndryshme. Ai ka lënë pas një model të veçantë mbi mënyrën se si drejtësia mund të ndërthuret me respektin dhe dinjitetin për individin.