Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e së dielës, rreth orës 07:30 të datës 9 nëntor, përgjatë unazës jugore të Bergamos, pranë zonës Stezzano-S. Përplasja fatale u mori jetën dy të rinjve shqiptarë, Klinton Sala, 23 vjeç, dhe Denis Cana, 21 vjeç, të cilët udhëtonin me një Mercedes CLA 220. Viktimë e ngjarjes u bë edhe drejtuesi i një furgoni të bardhë Citroën Berlingo, 62-vjeçari italian Oscar Angioletti.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti është shkaktuar gjatë një parakalimi të gabuar. Automjeti i drejtuar nga Klinton Sala tentoi të parakalonte një Hyundai me dy gra në bord, por gjatë manovrës doli në krahun e kundërt të lëvizjes, duke u përplasur frontal me furgonin që drejtonte Angioletti. Ky i fundit udhëtonte me vëllanë e tij 64-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Autoritetet italiane theksojnë se parakalimi në atë segment rruge konsiderohet i ndaluar, pasi është një zonë me vija të dyfishta dhe hendeqe të kufizuara. Vetëm në muajin shkurt të këtij viti, në të njëjtin vend humbi jetën një 33-vjeçar italian në një aksident me rrethana të ngjashme.
Klinton Sala dhe Oscar Angioletti kanë ndërruar jetë në vend, ndërsa Denis Cana u transportua në gjendje kritike drejt Spitalit “Papa Giovanni XXIII” në Bergamo, ku ndërroi jetë disa orë më vonë.
Në vendngjarje mbërritën forcat e karabinierisë, shërbimet emergjente dhe zjarrfikësit, të cilët punuan për orë të tëra për nxjerrjen e trupave dhe rihapjen e qarkullimit. Pjesa e unazës ku ndodhi aksidenti u mbyll për disa orë.
Hetimet paraprake vijojnë, teksa autoritetet po punojnë për të përcaktuar saktësisht shpejtësinë, manovrën e parakalimit dhe rrethanat e plota të përplasjes.












