Themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano është ndarë nga jeta ditën e sotme. Ish-kryeministri i Shqipërisë, prej kohësh ndodhej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore ndërsa ditët e fundit, 73-vjeçarit iu vështirësua frymëmarrja.
Ai ka lënë pas bashkëshorten e tij, Xhoana Nano dhe dy fëmijët, Sokolin dhe Edlirën.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
Bëri burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe vjedhje, por pas më shumë se tre vite në qeli, ai ia doli. Koha i dha të drejtë për një burgosje politike.
Por Nano, u rikthye fuqishëm duke fituar zgjedhjet përballë kundërshtarit të kohës, Sali Berisha në vitin 1997.
Fatos Nano shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1993 dhe nga 1997 deri në 2009.
Ai kreu studimet e ciklit të mesëm në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, duke u bërë më pas student i Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit të Tiranës.
Një ndër personalitet politike me njohjen më të mirë të shifrave dhe ekonomisë, Nano u specializua në fushën e Ekonomisë Politike.
Ish-kryeministri i Shqipërisë mori titullin “Doktor i Shkencave” në fushën e ekonomisë ndërsa në vitin 2000 titullin “Profesor Doktor” po në të njëjtën fushë.
Po në vitin 2000 në Universitetin Ndërkombëtar të Milanos, Nano fitoi titullin “Doktor Honoris Causa”, në fushën e Ekonomisë dhe Teknikës së Komunikimit dhe po në këtë vit merr titullin e nderit “Doktor Honoris Causa”, në fushën e shkencave ekonomike, nga Universiteti i Barit (Itali).
 
			











