Marjan Kodheli, 25-vjeçari i cili masakroi me thikë mesditën e kësaj të marte të atin është prangosur nga policia. Burime për mediat bëjnë me dije se arrestimi i të riut u bë i mundur në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës, ku 25-vjeçar i kishte gjetur strehim në lokalin në pronësi të motrës së tij.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:00 në banesën e familjes Kodheli në fshatin Shkallnur. Pas një konflikti për motive të dobëta, Marjan Kodheli qëlloi disa herë me thikë babain e tij 69-vjeçar të identifikuar si Pjetër Kodhel.
Nga dëshmitë paraprake mësohet se në momentin kur dhe ndodhi ngjarja e pranishme ishte dhe nëna e 25-vjeçarit e cila është përpjekur që të parandalojë tragjedinë mirëpo nuk ka mundur dot të ndalojë të birin.
Si pasojë e plagëve Pjetër Kodheli ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërkohë pas krimit i riu u arratis. Pas dy orësh kërkime policia bëri të mundur lokalizimin e tij në një lokal në zonën bregdetare në Shkëmbin e Kavajës. Menjëherë ai u prangos, teksa u shoqërua në Komisariat për vijimin e procedurave ligjore.
Banorët e fshatit kanë deklaruar për mediat se Pjetër Kodheli ishte një njeri i qetë dhe prej kohësh ishte divorcuar nga nëna e 25-vjeçarit. Ai jetonte në banesë me një tjetër grua, ndërkohë Marjan Kodheli sapo ishte kthyer në Shqipëri pasi prej vitesh jetonte dhe punonte jashtë shtetit.
Më herët Policia e Durrësit bëri me dije se 25-vjeçar idyshohet se vuan nga problemet e shëndetit mendor.
“Rreth orës 13:00, shtetasi M. K., 25 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, ka vrarë me mjet prerës (thikë), babanë e tij, shtetasin P. K., 69 vjeç, në banesën e tyre, në fshatin Shkallnur.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë kontrolle intensive, me qëllim kapjen e 25-vjeçarit. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të rastit”, njoftoi Policia më herët.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje, ndërkohë që vlen të theksohet se informacionet e përmendura më sipër janë siguruar në rrugë jo zyrtare.












