Një aksident me pasojë vdekjen e një 23-vjeçari shqiptar ka ndodhur në zonën e San Giovanni në Treviso të Italisë. Kevin Anghel me origjinë shqiptare humbi kontrollin e automjetit teksa po i shmangej një patrulle të karabinierëve, duke u përplasur me një pemë.
Automjeti me të cilin udhëtonte i riu u nda në dy pjesë për shkak të shpejtësisë së lartë dhe përplasjes së fortë. Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje. I riu ishte ende gjallë dhe ekipet e shpëtimit bënë të pamundurën.
Por fatkeqësisht, gjatë rrugës për në spital i riu nuk i mbijetoi plagëve të marra. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti doza kanabisi të cilat dyshohet se do të shiteshin nga 23-vjeçari me origjinë shqiptare.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të bërë të mundur zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.