Saemira Pino, një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Fatos Nanos dhe shefe e kahershme e Kabinetit të tij, ka shkruar një mesazh sa të ndjerë aq edhe të veçantë e emocionues për ndarjen nga jeta të liderit historik të Partisë Socialiste.
Ajo tregon njohjen që në dhomat e maternitetit të Tiranës, kur nëna e saj dhe ajo e Fatosit ishin njëkohësisht shtatzënë me ta, dhe Saemira e Nano lindën pak ditë pas njëri-tjetrit. Vazhduan shkollën e gjimnazin, ishin përsëri bashkë, ashtu edhe si pedagogë në universitet e më pas në Kryeministri.
Lexoni të plotë dedikimin e Samira Pinos për ikjen e Fatos Nanos:
Sot i dashur Fatos, veç do të të lavdërojnë… miq dhe kundërshtarë. Është në traditën tonë. Mirë a keq, nuk di ta them. Na përgatite javë radhazi për këtë ditë të keqe dhe këtë lajm të hidhur, në mënyrën tënde, atipike, si për shumë sjellje të tuat.
Së bashku kemi bërë një rrugë jo të shkurtër… Ti mbërrite në fund të saj më herët se ne moshatarët e tu.
Do doja shumë të ishe më gjatë me ne, në këtë rrugëtim jete, se ti kurdoherë do të dije ç’të thoshe, të sugjeroje a të korrigjoje. Ti e doje këtë vend, si një politikan modern dhe vizionar. Do të thuhet, dëshmohet dhe shkruhet shumë për trashëgiminë tënde politike. Unë nuk e kam këtë qëllim sot.
“U njohëm” në shtatorin e largët të 1952, kur rastësia i gjeti nënat tona në një dhomë, në maternitetin e vetëm të Tiranës, ku të dy morëm një kujdes të veçantë. Ti ishe fëmija i tretë i familjes, djali i parë dhe i vetëm, gëzim i madh i Maries, gruas së rrallë, por jo aq të re. Nëna ime ishte vetëm 21 vjeç, dhe vazhdoi me vajzë edhe pas meje, që isha e dyta. Dhe Maria i thoshte me humor dhe dashamirësi “lind ti fëmijë, po lind dhe unë…” Ti u linde disa ditë pas meje.
Më pas si nxënës, në shkolla jo larg njëra- tjetrës, konkurruam veç e veç në olimpiada e konkurse. Tezja ime, mësuesja e rreptë e matematikës në shkollën “Hoxha Tahsim” të viteve ‘60-të, do të pohonte gjithmonë se ti ishe nxënësi më i shkëlqyer që ajo kishte pasur ndonjëherë. Ti ia “shpërbleve” ditën e vdekjes së saj të parakohshme, duke e cilësuar atë si: Një institucion!
Përsëri u bëmë bashkë në shoqërinë e bukur të gjimnazit “Sami Frashëri”, ku ti dalloheshe sa për zgjuarsinë, gjuhët e huaja që i përvetësoje shpejt e bukur, aq edhe për ”rebelimet” e tua. Veçanërisht sfidant ndaj opinionit të papërgatitur, kur nuk e fshehe asnjë ditë dashurinë e madhe për Rexhinën kur fare të rinj, 16-17 vjeçarë, dorë për dore me Rexhinën, në oborrin e gjimnazit, në rrugë, në aksione me kitarë, dukeshit sikur lajmëroje një kohë të re, siç bëre edhe në politikë. Ndërkohë ishe dhe mbete një shok i mirë për të gjithë bashkënxënësit. Kushdo, që më pas të kërkoi mbështetje, ti bëre çmos, brenda mundësive dhe logjikës së kërkesës.
Në vitet 1970-80, ritakoheshim në komisionet e provimeve formuese apo pasuniversitare, tashmë si pedagogë.
Ti vije “nga lart” si pedagog i jashtëm, por kurrë nuk u solle me fodullëk, pavarësisht manierave të jashtme ndonjëherë. Ishe ti që i nxisje studentët për përgjigje realiste, kërkoje prej tyre jo rrallë pyetje, në vend të përgjigjeve, që i vinin ata në pozitat e kërkuesit dhe analistit, siç do të bëheshin më vonë, jo pak prej tyre. Ndërsa ne kolegëve të tu na sillje shpresën për ndryshim.
Më pas isha unë që do t’iu bashkohesha protestave në rrugë e sheshe, për lirimin tënd nga burgu politik, pa qenë anëtare në asnjërën prej partive ku ti kishe qenë dhe ishe, por unë isha shoqja e Xhinës dhe tëndja dhe ju besoja fort të dyve.
Së bashku bëmë një rrugë jo të shkurtër…
Unë të “humba” realisht një ditë prilli, kur erdha në zyrën tënde dhe të kërkova dorëheqjen. Ti kishe bërë dy zgjedhje, personalen përfundimtare dhe atë politike, efemere, të pakuptueshme për mua, me të cilën unë nuk pajtohesha dot. Po afroheshe (me marrëveshje nënshkruar në 1 prill) me grupimin që me të drejtë e kishe denoncuar në forumin më të lartë dhe vendimmarrës të PSSh për korrupsion, shkelje statuti, vjedhje votash brenda forumeve etj. Por ti ishe politikan klasi. I vetëformuar, falë inteligjencës, formimit, edukatës familjare, gjuhëve të huaja që të lehtësonin informimin.
Unë të gjeta në zyrë, një ditë më pas, dhe të thashë me humor, dje ishte 1 prill…Prandaj erdha sot, për dorëheqje të pa zmbrapsur!!! Më kuptove, nuk komentove dhe më përcolle (me pak lot) me fjalët më vlerësuese që mund të kem dëgjuar ndonjëherë, në karrierën time politike. Nuk më mbajte kurrë mëri, por vazhdove të më ofroje poste që jo gjithmonë mund t’i pranoja. Sepse unë nuk e njihja “politikën e madhe”, por për politikën si shërbim isha kurdoherë e gatshme. Dhe këtë ta kisha thënë dhe e kisha dëshmuar.
Megjithatë, ajo pjesë e vogël e rrugës politike, nga shefe e kabinetit tënd si kryetar i PSSh, dhe më tej, ndonëse plot andralla dhe e ndërprerë në vitet pas teje, ishte e bukur. Unë të isha e të mbetem thellësisht mirënjohëse!
Ndihem keq që nuk ta thashë asnjëherë.
Mbetesh Kryeministri më i vlerësuar, veçanërisht i socialistëve edhe pse në borxh të ndërsjellë ndaj njëri tjetrit. Ti i le publikisht socialistët, por edhe ata ashtu të lanë. Për të t’u kthyer sot “Pas vdekjes”. Por shumica e tyre, miqtë e vërtetë, me vlerësim dhe mirënjohje të sinqertë. Socialistë ose jo.
Jam e bindur që ti arrite shumë, por po aq jam e bindur se edhe ti vetë do të doje që disa zgjedhje t’i kishe bërë ndryshe. Sot e mbylle.
Lamtumirë, shok, vëlla (kështu më binde për t’u bërë drejtuesja e stafit tënd). Fat dhe privilegj të punoje me ty, një mik i rrallë! I paharruar do të mbetesh për familjarët e tu, për popullin tënd, socialistët dhe ata që ia duan të mirën vendit, miqtë e tu të shumtë si pakkush!












