Parkimi i dyfishtë i automjeteve në rrugë nuk do të konsiderohet më si një shkelje administrative, por si një vepër penale.
Kjo gjë u bë me dije nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili gjatë një deklarate për mediat tha se parkimi i dyfishtë do të konsiderohet si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht.
Më konkretisht, drejtuesit e automjeteve që kryejnë këtë shkelje do t’i referohen drejtësisë për shkeljen e nenit 293 të Kodit Penal, i cili më saktësisht thotë: “Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”.
Sipas Prodës, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal. Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj.
Shefat e komisariateve dhe drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për territorin do të jenë personalisht përgjegjës për rastet kur evidentohen ndërtime pa leje, zaptime të pronave, bllokime rrugësh, kthim i hapësirave komunitare në parkingje private, apo çdo abuzim me mjedisin, veçanërisht në zonat e mbrojtura.” – tha Ilir Proda.