Pas disa javësh mungesë për shkak të angazhimit në fushatë, aktori Florian Binaj është rikthyer mbrëmë në rolin e drejtuesit të emisionit investigativ “Piranja”.
Në hapje të programit, ai mbajti një monolog të gjatë, ku foli për përvojën e tij si kandidat për Tiranën dhe për vendosmërinë për të vijuar betejën kundër korrupsionit.
“Gara për Tiranën u ndal, por unë nuk kam luksin të bëj pushime reflektuese. Kam vetëm luksin të punoj dhe të mos dorëzohem,” – tha Binaj, duke shtuar se synimi i tij mbetet i njëjtë: “Të çrrënjos korrupsionin nga Bashkia Tiranë dhe ta kthej atë në shërbim të njerëzve.”
Në fund të monologut, ai la të kuptohet se ambicia për të qenë pjesë e garës elektorale nuk është shuar:
“Kurdo që të bëhen zgjedhjet do ta rimarrim Tiranën. Do ta pastrojmë nga llumi dhe do ta kthejmë në një qytet që të bën krenar.”












