Dy të vdekur dhe dy të plagosur, ky është bilanci tragjik i atentatit mafioz të regjistruar mëngjesin e sotëm në një lokal në qendër të qytetit të Shkodrës.
Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak dhe punonjës i IKMT-së në qytetin verior mbeti viktimë e plumbave, si dhe i riu Gredion Kraja, i cili thuhet se ishte truproja e Eugen Vasos.
Deri më tani dyshohet se shënjestra e atentatit të ketë qenë ky i fundit, i cili si pasojë e breshërisë së plumbave mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e qytetit në gjendje të rëndë për jetën.
Gjithashtu, plumbat kanë kapur edhe kamarieren 25-vjeçare të lokalit, e cila fatmirësisht sipas Policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është duke marrë ndihmën mjekësore në Spitalin e Shkodrës.
Lidhur me këtë ngjarje policia vendosi në pranga të riun Rakip Gila i cili pas atentatit u përpoq që t’i shpëtonte Policisë, por pa rezultat. Pas krimit ai u largua me shpejtësi nga lokali me një makinë tip “BMË”, por, rrugës u përfshi në aksident me një tjetër automjet gjë e cila tërhoqi dhe vëmendjen e policisë pasi i riu mbi kokë mbante dhe skafandër.
Menjëherë Policia u vu në ndjekje të tij. Siç shihet dhe në videon e mëposhtme i riu braktisi automjetit dhe u përpoq t’i largohej efektivëve me vrap, ndërkohë që këta të fundit janë në ndjekje të tij.
Arrestimi i të riut, u bë i mundur në afërsi të lumit të Kirit. Ky shtetas rezulton të jetë një emër i njohur për drejtësinë, pasi jo më larg se gjashtë muaj më parë ai la qelinë.
Më 6 dhjetor të 2023, 29-vjeçari u arrestua nga Policia pasi u kap me municione luftarake. Ai njihet në zonë si një person problematik, ndërkohë që dyshohet se lidhur me atentatit e ditës së sotme të jetë kontaktuar nga persona të tjerë.