Detaje të reja dalin nga ngjarja në Tiranë, ku një 20-vjeçare indoneziane solli në jetë foshnjën e saj në banesën ku jetonte me qira dhe e braktisi.
E reja me iniciale A. p., kishte ardhur në Shqipëri prej 4 muajsh, së bashku me shoqet e tjera dhe jetonin në një ambient të marrë me qira, ndërsa punonin pastruese nëpër lokale në kryeqytet.
Në kohën që ka ardhur nga Indonezia, 20-vjeçarja ka qenë 5 muajshe shtatzëne dhe ditët e fundit e kanë kapur kriza të stresit. Pas lindjes e reja, e ka braktisur fëmijën në banesë.
Shoqet e saj të tjera indoneziane kanë njoftuar pronarin e shtëpisë dhe më pas policinë, ndërsa foshnja u dërgua në spital, ndërsa mësohet se fatmirësisht gëzon shëndet të plotë.
Për shkak të gjendjes së fëmijës, për nënën 20-vjeçare që e braktisi, nisi vetëm hetim në gjendje të lirë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset indoneziane A. P., 20 vjeçe, A. W., 29 vjeçe, B. L., 20 vjeçe, S. F., 28 vjeçe dhe P. G., 19 vjeçe, pasi dyshohet se shtetasja A. P. ka braktisur në banesë, foshnjën që ka lindur aty, ndërsa 4 shtetaset e tjera të proceduara nuk kanë kallëzuar krimin”, informoi policia.












