Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin mafioz të ndodhur pasditen e sotme zonën pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Gilmando Dani, ndërsa u plagos rëndë Muçi Shaljani, 40 vjeç, i njohur si Sheqeri, aktualisht agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, në rrethrrotullimin e Rinasit, vetëm 25 minuta pasi dy të sulmuarit kishin mbërritur nga Barcelona, ku kishin udhëtuar më 7 nëntor dhe ishin kthyer sot, më 11 nëntor, në orën 13:55.
Dani dhe Shaljani po udhëtonin me një automjet luksoz tip Benz, i bardhë, me targa AB 099 UO, të cilin e kishin lënë në parkimin e aeroportit gjatë udhëtimit të tyre jashtë vendit. Sapo u larguan nga Rinasi, ata ranë në pritën e autorëve të armatosur, që ndodheshin në një Toyota me targa greke.
Sipas të dhënave të para hetimore, autorët i kishin pritur pranë aeroportit dhe më pas të dy makinat janë lëvizur paralelisht për disa qindra metra. Nga Toyota janë shkrehur breshëri automatiku në drejtim të Benz-it, kryesisht nga ana e pasagjerit ku ndodhej Dani.
Pasi mjeti i viktimave u qëllua me dhjetëra plumba, Benz-i vazhdoi lëvizjen për disa metra dhe më pas ndaloi. Në atë moment, një nga autorët, i maskuar dhe me kapele, ka zbritur nga makina, është afruar drejt automjetit të viktimave dhe ka qëlluar disa herë nga afër me pistoletë, për t’u siguruar që objektivi ishte eliminuar. Më pas është kthyer në Toyota dhe grupi është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës.
Rreth 14 kilometra larg vendit të atentatit, në fshatin Halil, autorët kanë ndaluar në një zonë të pyllëzuar pranë përroit dhe kanë djegur automjetin Toyota, së bashku me armët që dyshohet se janë përdorur në krim.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po mbledh prova materiale dhe pamje nga kamerat e sigurisë për të identifikuar autorët. Pista kryesore e hetimeve lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale, megjithëse nuk përjashtohen edhe motive të tjera.
Burimi: JOQ Albania












