Një aksion i zhvilluar sot nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë

ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, përfshirë edhe Florije Kelmendi Selimin, nëna e reperit të njohur kosovar Getoar Selimi, i njohur me emrin e artit Ghetto Geasy.
Ajo, së bashku me dy zyrtare të tjera të kësaj ministrie, po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, në kuadër të një hetimi më të gjerë për korrupsion në institucionet publike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka konfirmuar ndërhyrjen policore, duke bërë të ditur se hetimet janë duke u zhvilluar me autorizim të Prokurorisë kompetente dhe përfshijnë disa persona të dyshuar.
“Sapo të përfundojnë procedurat hetimore, do të mund të bëhen publike më shumë informacione,” ka deklaruar Kelani për mediat.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë lidhur me rastin, ndërsa pritet që në ditët në vijim të jepen më shumë të dhëna për natyrën e shkeljeve të dyshuara dhe masat që do të ndërmerren ndaj të përfshirëve.
Deklarata e plotë e zëdhënësit Baki Kelani:
Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë.