‘Diella’-asistentja virtuale zadrimore e platformës e-Albania, e cila ofron ndihmën e saj përmes komandave zanore,
tashmë do të drejtojë Prokurimet Publike. Asistentja virtuale 2.0, jep përgjigje me zë dhe figurë, me një gjuhë të thjeshtë dhe natyrale, për pyetjet që do adresohen në platformë.
Trajnimi i Diellës është bërë përmes modeleve të inteligjencës artificiale, por përpos figurës robotike dhe anës politike, çfarë fsheh imazhi i Diellës? Duke e nisur nga emri,
‘Diella’ në shqip do të thotë rreze dielli. Asistentja virtuale shfaqet me një nga kostumet tradicionale më të veçanta shqiptare, atë të zonës së Zadrimës, duke qëndruar kështu brenda kuadrit të patriotizmit. Pamja e saj ka dhe peshë artistike.
Imazhi i parë që të krijohet kur shikon Diellën është ai i aktores Anila Bisha.
Diella, nuk është krijuar nga zero por është aktorja 57-vjeçare, me një imazh të rregulluar. Ky ka qenë rezultati i dhjetra syve të vëmendshëm të rrjeteve sociale që e kanë parë ngjashmëri të dukshme mes Diellës dhe aktores. Enio Kaso, drejtor i Inteligjencës Artificiale dhe Licencimit të Kriptomonedhës, i ftuar te “Aldo Morning Shoë” disa javë më parë, u pyet për këtë çështje dhe e la evazive.
Dialogu mes tyre:
Aldo: Shumë vetëve iu duk si Anila Bisha, ajo aktorja. I ngjan ë?
Enio Kaso: Nuk po them që nuk është ajo, nuk po them që është ajo.
Aldo: E kuptova, lëre e mora vesh, paskeni marrë imazhin e saj dhe e keni rregulluar.
Kush është Anila Bisha?
Aktorja e dashur për shqiptarët është një nga ikonat e kinemasë dhe teatrit.
Nga viti 1991 deri në vitin 2016 ka patur role të rëndësishme.
Në kinematografi ka luajtur në filmat: “Fundi i një gjakmarrjeje” (1983); “Gurët e shtepisë sime” (1985); “Kur hapen dyert e jetës” (1986); “Eja” (1987); “Familja ime” (1987); “Sinjali i dashurisë” (1988); “Pesha e kohës” (1988); “Nata” (1996); “Bolero” (1997); “Dhimbja e dashurisë” (2008); “Vera pa kthim” (2017). Në vitin 2000 është vlerësuar si Aktorja më e mirë, në festivalin e 11 të filmit Shqiptar në Tiranë për rolin e Inës në filmin “Bolero”.
Traditë, kulturë dhe një personazh i njohur në artin shqiptar, ‘Diella’ edhe pse jo fizikisht, tashmë mban peshën e tenderave publikë