Tre fëmijë kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një objekti në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës.
Referuar autoriteteve shtetërore, mediat në Kosovë raportojnë se bëhet fjalë për shembjen e një objekti që nuk ka qenë i banuar.
Ka pasur përpjekje nga fshatarët që të nxirren fëmijët, por kjo nuk është arritur dhe se ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tyre.
“Më datë 1 shkurt 2025, rreth orës 22:50, jemi njoftuar se në fshatin Jabllanicë është rrëzuar pllaka e një shtëpie të pabanuar, duke zënë poshtë tre fëmijë. Në vendngjarje kanë dalë njësitë e nevojshme policore, si dhe ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancën dhe zjarrfikësit.
Personeli mjekësor ka konstatuar në vendngjarje vdekjen e viktimave. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit në koordinim me të cilin, aktualisht janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.
Nga shembja e objektit vdiqën dy fëmijë 15-vjeçarë dhe një 14-vjeçar.