Arenso Subashi është fëmija 8 vjeçar që mbeti i plagosur rëndë si pasojë e aksidentit që ndodhi një javë më parë në hyrje të Tiranës, ku autobusi i linjës së Beratit doli nga rruga dhe u përmbys në kanalin buzë saj.
“Familja Sadushi dhe unë po ju drejtohemi me zemër për të kërkuar mbështetjen tuaj për kushëririn tonë të dashur 8-vjeçar, Arenso Sadushi.
Ditet e fundit, ai u përfshi në një aksident të rëndë automobilistik që ia ndryshoi jetën përgjithmonë. Si pasojë e dëmtimeve të rënda që pësoi, mjekët u detyruan t’i amputonin njërën këmbë për t’i shpëtuar jetën”, njofton familja e Arensos.
Ai ka kaluar shumë deri më tani dhe rruga e tij drejt shërimit sapo ka filluar. Në ditët dhe javët në vazhdim vogëlushit do t’i nevojitet rehabilitim, terapi fizike, vizita të shumta mjekësore dhe një protezë për këmbën.

“Ne kemi hapur këtë GoFundMe për të ndihmuar familjen e tij me shpenzimet mjekësore dhe kostot e rikuperimit, në mënyrë që ata të përqendrohen te shërimi i tij dhe jo te vështirësitë financiare”, njofton familja.
Ata kërkojnë ndihmën e shqiptarëve, me çdo donacion, pavarësisht shumës, sepse do të përdoret për shpenzimet mjekësore, rehabilitimin, protezën, trajtimet e nevojshme dhe çdo nevojë tjetër që lidhet me rikuperimin e tij.
Nëse nuk keni mundësi të dhuroni, familja Sadushi kërkon që ky apel për ndihmë të shpërndahet sa më shumë në mënyrë që shuma prej 70 mijë dollarësh të mblidhet sa më parë dhe Arenso të ecë sërish.












