Një aksident tragjik u regjistrua një ditë më parë në autostradën Durrës-Tiranë, ku një autobus i linjës Berat-Tiranë doli nga rruga dhe u përplas me barrierat anësore. Si pasojë e aksidentit humbi jetën 36-vjeçari Redion Hasimi, i cili jetonte në Kombinat dhe çdo ditë përshkonte këtë aks rrugor për të ushtruar profesionin e tij.
Zemra u tregua e padrejtë me Redionin, pasi pushoi së rrahuri teksa ai ishte në krye të detyrës, duke transportuar dhjetëra pasagjerë.
Lajmi për ndarjen e tij të parakohshme nga jeta ka tronditur të gjithë ata që e njihnin. Mes dhimbjes së madhe, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi, kujtime dhe fotografi, ndërsa zija ka pllakosur jo vetëm familjen, por edhe miqtë e të afërmit e 36-vjeçarit.
Më prekës mbetet reagimi i vajzës së tij të vogël, e cila duket se ende nuk arrin ta besojë humbjen e njeriut të saj më të shtrenjtë. Me zemrën e copëtuar nga dhimbja dhe me shpresën se gjithçka mund të ishte vetëm një makth, ajo ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi me të atin, krahas së cilës shkruan: “Babi, të lutem, a mund të vish të më marrësh?”.

Fjalë që kanë prekur mijëra njerëz, ndërsa në postimet e saj të mëparshme kishte treguar shpesh se Redioni nuk ishte vetëm babai i saj, por edhe shoku i saj më i ngushtë.
Dhimbja për humbjen e tij është pasqyruar edhe në reagimet e miqve, të cilët kanë publikuar video dhe momente të veçanta nga jeta e 36-vjeçarit. Në një prej videove që po qarkullon në rrjetet sociale, mbi pamjet e tij është shkruar: “I paharruar do ngelesh gjithmonë, vëlla. Zoti të deshi pranë vetes”.
Redion Hasimi humbi jetën në një nga ditët më të zakonshme të punës së tij, pa e ditur se udhëtimi i fundit do të ishte edhe lamtumira e tij. Ndërkohë, nga aksidenti mbetën të plagosur edhe 12 pasagjerë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes.
Burime për mediat bëjnë me dije së fundmi se 36-vjeçari i cili ishte duke lëvizur me shpejtësi brenda normave të lejuara ndërkohë që nuk kishte tentuar që të ndalonte automjetin pasi dyshohet se ka pësuar një arrest kardiak. Ndërkohë që për më tepër detaje pritet një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.












