Vetëm një ditë pasi lansoi EP-në me pesë këngë të reja, Luiz Ejlli nuk ka të ndalur.
Përmes një postimi të fundit në rrjetet sociale, Luizi ka paralajmëruar publikimin e një kënge të re, e cila këtë herë vjen si një reagim dhe mbështetje ndaj protestave të qytetarëve.
Këngëtari ka ndarë një sekuencë të shkurtër nga klipi i tij i ri ku shfaqet me mbishkrimin. Bashkëngjitur videos, ka sqaruar pozicionin e tij dhe arsyen pse vendosi t’i futej këtij projekti në këtë moment dinamik social.
“Secili proteston në mënyrën e vet, ju zgjodhët rrugën, unë zgjodha muzikën. Mendova se zëri im do të dëgjohej më mirë përmes një kënge sesa mes turmës,” shkruan Luizi, duke shtuar se i është dashur kohë për të krijuar tekstin, muzikën dhe klipin. Ai gjithashtu nuk ka kursyer as një kunjë për skeptikët: “Më vjen keq për ata që dyshuan dhe ma sollën kurrizin (nuk është hera e parë, jam mësuar).”
Ky hap i Luizit vjen në një valë ku artistët po përdorin gjithnjë e më shumë artin e tyre si mjet revolte dhe ndërgjegjësimi.












