Opinioni publik u trondit sot nga vdekja e papritur e Alban Bejlerit, mësuesit hero që përshkonte kilometra të tëra në këmbë për t’u dhënë mësim dy nxënësve të mbetur në fshatin Marjan, të Maliqit, pavarësisht se vet jetonte në Devoll.
Pasi kanë marrë lajmin e kobshëm, kanë dhënë prononcime për mediat miq e familjarë të tijtë, të cilët zemërthyer kanë kujtuar e njëherë njeriun punëtor, të gjendshëm e të veçantë që ishte Albani.
Xhaxhai i tij, Besim Bejleri “i shkatërruar” prej dhimbjes dhe me lot në sy tregoi se mësues Albani bënte rreth 7-8 kilometra rrugë për të shkuar në punë.
“Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë. Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani.
Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. U bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve, mendoni për këta njerëz, për edukatorët. Ishte njeri me dy universitete dhe kishte qenë pa punë. Kishte 5-6 vite në punë. Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës”, shprehet ai.
Ndërsa kanë folur edhe kushurinj të tjerë të tij dhe miq, teksa Muhamer Meka shprehet: “Ishte njeri i mirë, djalë i rregullt. Ishte mësues prej 30 vitesh. Ka punuar në Bilisht më parë dhe më pas e çuan në Marjan. Për arsye politike e transferuan atje. E bënte çdo ditë rrugën. Kishte dy fëmijë dhe vuante nga diabeti”
Ndërsa një mik i tij, Myfti Staro, u shpreh se ai ishte transferuar në fshatin Marjan për arsye politike pasi Albani ishte “i djathtë”. “E transferuan për arsye politike, ishte i djathtë. Kishte shumë vite në arsim. Bënte rreth 8 km në këmbë; linte makinën dhe vazhdonte në këmbë drejt fshatit”, u shpreh ai.
Edhe shoku i tij i ngushtë Artur Vrenozi ka dhënë një deklaratë pas vdekjes së tij ku shprehet: “Albanin e njoh prej vitesh. Dje kur më thanë nuk u besoja veshëve. Kur shkova në morgu, kuptova që Albani na la. I gjithanshëm për mua. Ishte njeri model. Fillimisht ka qenë në shkollën e mesme Bilisht, para 6-7 viteve në fshatin Mjaltez, familja u shkëput me dy fëmijë e ngeli fshati pa fëmijë. Shkoi në Marjane. 3-4 nxënës.
E kam shoqëruar e vet. Në Mjaltëz ecte 6 orë, këtu 3-4 ore minimalisht. Nga Bilishti me makinë e pastaj në këmbë. Për të dhënë nxënësve dije. Sakrificë e madhe. Ate që e bënte ai janë të rrallë. Familje mësuesish intelektualësh. E tani që po flas e kam të pamundur ta besoj. Vite para vuante nga diabeti por kurohej shpesh. Sakrificë e madhe në këmbë për të mësuar nxënësve dije”
Pas një jete të kaluar në sakrificë mësues Albani do të mbetet në mendjet e nxënësve, kolegëve, familjarëve si ai njeriu i përkushtuar, punëtor e besimtar që dha gjithçka kishte për edukimin e fëmijëve.












