Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Rrogozhinë–Peqin, në afërsi të fshatit Sinaballaj.
Sipas dëshmitarëve që kanë dërguar pamjet në redaksinë e JOQ Albania, një këmbësore e moshuar është përplasur për vdekje nga një automjet dhe ka ndërruar jetë në vend.
Njëri prej dëshmitarëve tregon se ambulanca dhe policia nuk kanë mbërritur për më shumë se 25 minuta, ndërkohë që gruaja e moshuar gjendej e shtrirë në mes të rrugës, pa shenja jete. Pas mbërritjes së mjekëve, është konfirmuar vdekja e saj.
Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin është larguar nga vendngjarja, ndërsa banorë të zonës thonë se kanë dëgjuar zhurma frenimesh dhe përplasje të forta, duke ngritur dyshime se e moshuara mund të jetë shtypur edhe nga automjete të tjera.
Pamjet nga vendi i ngjarjes janë tronditëse dhe tregojnë trupin e viktimës që dergjet e pajetë në mes të rrugës.
Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar nga policia në lidhje me ngjarjen.












