Lideri historik i së majtës shqiptare dhe arkitekti i Partisë Socialiste, Fatos Nano nuk jeton më. Ai mbylli sytë në moshën 73 vjeçare dhe u përcoll me nderimet më të larta shtetërore, mes dhimbjes së miqve e bashkëpunëtorëve për ikjen e një politikani të rrallë.
Mirëpo, bashkëjetesa e Fatos Nanos me Partinë Socialiste nuk ka qenë përherë aq e qetë, si ajo e atit me pasuesit, sepse ishte pikërisht mosmirënjohja dhe zhgënjimi nga socialistët që ai futi dikur në politikë, që e bënë liderin historik të PS të tërhiqej përgjithmonë nga skena.
Një video e rrallë e vitit 2007, e publikuar nga gazetarja Eni Vasili, tregon qartë zhgënjimin e thellë të Fatos Nanos me të vetët, pendesën dhe pishmanin e madh të tij për vitet e burgut në Bënçë. Në këtë periudhë, sipas bashkëpunëtorëve, Nano pësoi një transformim total të karakterit dhe konceptit të tij për jetën e politikën.
Aq i zhgënjyer ishte ai në vitin 2007, kur socialistët nuk e mbështetën në ambicien e tij për President të Republikës, sa tha se kishte pasur mundësi të arratisej e të mos e kryente 4 vjeçarin e plotë në qeli me vullnet të hekurt, por nuk e bëri për t’u lënë socialistëve një flamur dhe simbol shprese e rimëkëmbje.
Eni Vasili: A ka një gjë për të cilën pendohet Fatos Nano, në 16 vitet e karrierës së tij politike, një gjë që s’do ta kishte bërë?
Fatos Nano: Pendimi është njerëzor dhe të jem i sinqertë më ngacmove në një ind të dhimbshëm. Kështu si po sillet kopshti botanik apo fauna politike që kam krijuar unë me sakrificat e mia në 15 vjet, jam bërë pishman që e bëra me vullnet të hekurt gjithë periudhën e burgut 4 vjeçar.
E kisha të mundshme të ikja nga burgu. E kisha ndoshta shqiptarisht legjitime të kërkoja atë pazarin që po bëkam tani për të mos hyrë në burg, me Berishën.
E kisha të mundshme, po ndoshta dhe për logjikën e heronjëve të bjeshkëve, të pranueshme të arratisesha nga burgu i Bënçës dhe pastaj të bëhesha komit si katragjyshi im.
Nuk e bëra, për t’i dhënë një flamur, një projekt dhe një simbol qëndrese në kushtet e deformimit të menjëhershëm të demokracisë së brishtë që sapo arriti, nga autoritarizmi i regjimit Berisha 1, për t’u dhënë një simbol dhe një flamur qëndrese e rimëkëmbje opozitës.












