Klajdi Mustaj, polici i cili mbrëmjen e kaluar ndërhyri për të shpëtuar tre të rinj nga një aksident i rëndë në Fier, e përshkruan veprimin e tij jo si një akt heroik, por si një akt humanizmi dhe përgjegjësie që çdo punonjës policie do ta bënte.
Ai tha për Euro News se është një emocion i madh kur njerëzit e falënderojnë dhe vlerësojnë për ndihmën e dhënë.
Ngjarja ndodhi kur një makinë “Benz” humbi kontrollin dhe u përmbys pranë Qafë Koshovicës, duke u përfshirë nga flakët. Klajdi Mustaj nuk priti ndihmën zjarrfikëse, por hyri mes flakëve dhe nxori të rinjtë e plagosur jashtë, duke shmangur një tragjedi të madhe.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, vlerësoi ndërhyrjen e tij dhe i akordoi Certifikatën për Shërbime të Dalluara, duke theksuar se guximi dhe profesionalizmi i Mustajt janë shembull për të gjithë trupën policore.
Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit që nga shkurt 2024 dhe vazhdon studimet e tij në Shkenca Juridike dhe Master. Veprimi i tij tregon përkushtimin dhe humanizmin që duhet të karakterizojnë çdo punonjës të rendit.